Opozita shqiptare, përkundër përpjekjeve të shumta për t’u ristrukturuar, është më e dobët se kurrë. Kjo situatë krijon një rrezik të madh për Shqipërinë, pasi një opozitë e dobët do të thotë mungesë kontrolli dhe mundësi më të mëdha për abuzime me pushtetin. Në këtë postim, do të analizojmë pse ky është një rrezik serioz dhe çfarë mund të ndodhë nëse opozita vazhdon të mbetet e pafuqishme.
Shqiptarëve iu duhet me patjetër një opozitë e fortë, dhe kjo, me shumë mundësi, nuk është Partia Demokratike aktuale. Ja pse:
---
1. Mungon një lider opozite i fortë
Sali Berisha është dhe ka për të qenë një ndër mallkimet më të mëdha të Shqipërisë, pasi e ka lënë këtë shtet pa një opozitë të fuqishme. Opozita është shumë herë më e rëndësishme se partia në pushtet, pasi është opozita ajo që vëren gabimet në qeverisjen e vendit dhe i paraqet ato në institucionet përkatëse. Ne nuk e kemi këtë opozitë. Ne kemi shokun e ngushtë të Edi Ramës, të cilët kanë interesa të përbashkëta: njëri të qëndrojë në pushtet, tjetri në opozitë, duke e çuar Shqipërinë drejt një humnerë që nuk ka fund.
Me plot gojën mund ta pranojmë se opozita shqiptare është në drejtimin e një intriganti, i cili di vetëm të gënjejë. Këtu një demokrat do të binte në kundërshtim me këtë opinion, por unë mund të sjell një rast konkret: ardhja e Chris LaCivita për fushatën e PD-së u reklamua si një ndihmë nga SHBA-ja dhe nga vetë Trump-i. Është për të ardhur keq se sa demokratë e kanë besuar këtë mashtrim nga Sali Berisha. Për të gjithë ata që e besojnë, LaCivita e ka thënë vetë që në Shqipëri ka ardhur vetëm për para dhe është një individ privat, i cili nuk përfaqëson aspak SHBA-në apo administratën Trump. Këtë ai e deklaroi në "Opinion", më 14 prill. Klikoni ketu per ta pare videon
2. Skandalet me primaret
Skandalet me primaret ishin një nga gabimet më të mëdha që ka bërë Partia Demokratike. Aty u tregua qartë se PD-ja është vetëm për të vendosur të vjetrit në lista dhe nuk merr parasysh fare se kë mbështet populli. Në fakt, listat e mbyllura nuk duhet të ekzistonin fare, por kjo është një diskutim më vete.
Në momentin kur ata lanë jashtë liste Dashnor Sulën në qarkun e Elbasanit, humbën automatikisht një mandat deputeti atje. Sula ishte numri 1 në primaret e Elbasanit dhe kishte plotësisht të drejtë që u largua nga PD-ja dhe foli kundër Berishës në emisione të ndryshme televizive. Nëse shikojmë listën e deputetëve që paraqet PD-ja, ajo nuk ka asnjë ndryshim – të përhershmit si Flamur Noka dhe të tjerë. Kjo është e gabuar jo vetëm sepse nuk përfaqëson atë që do populli, por sepse rikthen të njëjtat figura të konsumuara politike. Kjo nuk promovon ndryshim, kjo promovon degradim të skenës politike.
---
3. Opozita shqiptare është e përçarë
Kjo vjen si rezultat i rritjes së partive të vogla. Në këto zgjedhje është vënë re rritja e popullaritetit të partive si koalicioni "Nisma Shqipëria Bëhet", Partia Mundësia dhe Lëvizja Bashkë. Kjo nuk bën gjë tjetër veçse ndihmon Partinë Socialiste. Kushdo që voton për këto parti, në 2021 kishte votuar për PD-në. Kështu, votat i hiqen opozitës dhe Edi Rama bëhet “monark” me katër mandate.
Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të votoni partitë e vogla – përkundrazi, unë personalisht besoj se sot për sot duhet të votojmë për ta që të kemi një të ardhme më të mirë – por kjo mbetet për një artikull tjetër.
---
4. PD-ja nuk ka një program politik të mirëfilltë – ka vetëm kritika dhe intriga
Edhe pse shqiptarët nuk e kanë zakon të lexojnë programe politike, kjo nuk do të thotë që ti nuk duhet ta kesh një të tillë. PD-ja, duke mos pasur një program të qartë dhe të mirëstrukturuar, nuk po e reklamojnë veten si alternativë. Nëse krahasojmë PD-në me partitë e vogla, këto të fundit e shprehin qartë vizionin përmes programeve të tyre politike, ndërsa PD-ja shfaqet si një grumbull kritikash ndaj 12 viteve të qeverisjes së PS-së.
Një nga pikat më të përfolura nga demokratët është çështja e rrugëve të papërfunduara që kanë nisur që para 12 vitesh. Ata janë ankuar vetëm në periudha zgjedhore – në 2017, 2021 dhe tani në 2025. Mos është rastësi që gjithmonë ankohen në fushatë? Pse nuk janë paraqitur këto probleme në ditë të zakonshme në institucionet përkatëse? Kjo tregon një opozitë të dobët dhe të kapur nga pushteti.
---
Nëse opozita nuk ndryshon rrënjësisht, kush do ta kontrollojë pushtetin nesër?
Comments
Post a Comment